Kroacia është eliminuar nga Kupa e Botës 2026 pas humbjes 2:1 ndaj Portugalisë, në një ndeshje që u mbyll me polemika të mëdha për shkak të anulimit të golit të barazimit në minutat shtesë pas ndërhyrjes së VAR-it.
Momenti vendimtar ndodhi kur goli i Kroacisë u anulua për pozitë jashtë loje, pasi sistemi VAR konstatoi se sulmuesi Igor Matanoviq kishte bërë një prekje minimale të topit para se ai të përfundonte në rrjetë. Sipas gjyqtarëve, prekja e Renato Veigës u konsiderua vetëm devijim dhe jo një lojë e qëllimshme, ndaj pozita jashtë loje mbeti në fuqi.
Pas ndeshjes, Matanoviq tha se nuk ishte i sigurt nëse e kishte prekur topin dhe se gjyqtari i kishte shpjeguar se sensori brenda topit kishte regjistruar kontaktin.
“Sinqerisht, mendoj se ndjeva një kontakt të lehtë me flokët e mia. E pyeta gjyqtarin, sepse nuk isha 100 për qind i sigurt nëse e kisha prekur topin. Ai më tha se çipi në top kishte regjistruar një kontakt të lehtë dhe për këtë arsye ishte pozitë jashtë loje”, deklaroi Matanoviq.
Sulmuesi kroat shtoi se ekipi i tij meritonte më shumë nga kjo ndeshje.
“Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura. Luajtëm shumë mirë në pjesën e dytë dhe meritonim më shumë. Tre gola të anuluar, pozitë jashtë loje, një shtyllë, nuk kam fjalë, ishim shumë të pafat. Kjo humbje do të na dhembë, por duhet të ecim përpara dhe të mendojmë për Kampionatin Evropian”, u shpreh ai.
I ashpër në reagimin e tij ishte edhe përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliç, i cili kritikoi nivelin e arbitrimit.
“Gjyqtari ishte shumë i keq. Asnjë faull, asnjë ndërprerje në favorin tonë. Ishte një gjyqtar i dobët, por ne humbëm dhe nuk kemi të drejtë të ankohemi shumë. Më vjen keq”, tha Daliç.
Ai, megjithatë, përgëzoi Portugalinë për kualifikimin dhe vlerësoi paraqitjen e futbollistëve të tij.
“Urime Portugalisë dhe i uroj suksese në vazhdim të turneut. Në pjesën e dytë e morëm kontrollin e ndeshjes, krijuam shumë raste dhe nuk e meritonim këtë rezultat. Mund t’i përgëzoj vetëm djemtë për luftën që treguan”, përfundoi trajneri kroat.


