Qendra e Miami Heat, Bam Adebayo, ka realizuar një nga performancat më të jashtëzakonshme në historinë e NBA-së, duke shënuar 83 pikë në fitoren e skuadrës së tij ndaj Washington Wizards me rezultat 150-129.
Adebayo arriti këtë shifër historike në fund të çerekut të katërt me dy gjuajtje të lira, duke kaluar rekordin prej 81 pikësh të legjendës Kobe Bryant dhe duke u ngjitur në vendin e dytë për më shumë pikë të shënuara në një ndeshje të vetme në historinë e ligës. Rekordi absolut vazhdon të mbahet nga Wilt Chamberlain me 100 pikë.
Nata spektakolare e qendrës së Heat nisi që në çerekun e parë, ku ai shënoi 31 pikë, më shumë se i gjithë ekipi i Wizards në atë periudhë. Adebayo vazhdoi dominimin edhe në pjesën tjetër të ndeshjes dhe në pushim shkoi me 43 pikë, një nga shifrat më të larta të shënuara në një pjesë të parë në afro tre dekada.
Në fund të takimit, basketbollisti i Miami e mbylli ndeshjen me statistika mbresëlënëse: 83 pikë, nëntë ribaunde, pesë asistime, dy vjedhje topi dhe dy bllokime, duke vulosur një nga mbrëmjet më të paharrueshme në historinë e NBA-së dhe rekordin më të madh individual në historinë e Miami Heat./Raporto24





