Prishtinë, 8 shtator 2025 – Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka riafirmuar përkushtimin e saj ndaj zhvillimit të projekteve kapitale dhe transparencës institucionale, duke theksuar se pretendimet për mungesë investimesh nuk pasqyrojnë realitetin e zhvillimeve brenda kompanisë.
Në reagimin zyrtar të KEK-ut theksohet se projekti “Solar4Kosovo I”, i publikuar më 8 shtator 2025, është dëshmi e qartë e orientimit të kompanisë drejt energjisë së qëndrueshme dhe tranzicionit të gjelbër. Projekti është prezantuar në ueb-faqen dhe rrjetet sociale të KEK-ut, në bashkëpunim me WBIF, KfW, EIB dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Performanca financiare dhe aftësia investuese
Pavarësisht sfidave të tregut energjetik, KEK mbetet institucioni më stabil financiarisht në sektorin energjetik të Kosovës.
Gjatë vitit 2024, kompania ka përmbyllur një vit të suksesshëm financiar, duke bërë kërkesa të përsëritura për rishikimin e çmimit të shitjes së energjisë (nga 29.5 në 31.5 €/MWh), me qëllim të sigurimit të financimit të qëndrueshëm për projektet kapitale strategjike.
Transparenca dhe komunikimi publik
KEK thekson se në mënyrë të vazhdueshme publikon informacione të detajuara për të gjitha projektet strategjike dhe për secilën fazë të tyre. Disa nga publikimet kryesore janë:
Projekti A3 – Konferenca fillestare më 23.01.2025, e pasuar nga konferenca për hapjen e aplikimeve më 04.07.2025, e transmetuar drejtpërdrejt për herë të parë në vend; Projekti i modernizimit të turbinave – Publikimi “Një arritje historike për sistemin energjetik të Kosovës” më 28.09.2025, pas përfundimit me sukses të modernizimit të turbinës në njësinë B2; Projekti i elektrofiltrave – Njoftimi i datës 23.05.2025 mbi progresin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe nënshkrimin e Amandamentit Nr. 9; Projekti “Solar4Kosovo” – Njoftimi i përbashkët më 08.09.2025 me pjesëmarrjen e WBIF, KfW, EIB dhe KEK. Përkushtim ndaj zhvillimit të qëndrueshëm
KEK thekson se pretendimet për mungesë investimesh reale janë të pabazuara dhe përbëjnë keqinformim të publikut, duke minimizuar përpjekjet e një kompanie që vazhdon të jetë shtylla kryesore e sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës.
Korporata mbetet e përkushtuar që të vazhdojë me transparencë, profesionalizëm dhe përputhje me standardet evropiane të operimit dhe mbrojtjes së mjedisit, duke luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm energjetik të vendit./Raporto24/


