Trump​ udhëton për herë të parë me avionin e ri Air Force One që iu bë dhuratë nga Katari

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump realizoi, të mërkurën, fluturimin e tij të parë me avionin e ri presidencial Air Force One.

Kjo është një fluturake Boeing 747 i modifikuar, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, që i është dhuruar shefit të Shtëpisë së Bardhë nga Katari.

Avioni i ri dallon nga Air Force One tradicional për shkak të dizajnit të jashtëm, i cili është përshtatur sipas preferencave të Trumpit, raporton AP, transmeton KosovaPress.

Pjesa e poshtme është me ngjyrë blu të errët dhe shirita të kuq e të artë, në vend të bojës së kaltër të çelët që karakterizonte avionët presidencialë amerikanë, deri tashti.

Brendësia e avionit përfshin tapete luksoze, ulëse që shtrihen plotësisht, panele druri dhe elemente të tjera luksoze, përfshirë stemën presidenciale në rripat e sigurimit.

Trump u shpreh krenar për avionin e ri, duke deklaruar para gazetarëve se kishte zgjedhur një paraqitje më të spikatur për avionin presidencial.

Fluturimi i parë zyrtar me këtë avion u zhvillua drejt Dakotës së Veriut, ku presidenti vizitoi Bibliotekën Presidenciale Theodore Roosevelt, para hapjes së saj me rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara.

Dhurata nga Katari ka nxitur debate etike në SHBA, por Trump ka mbrojtur pranimin e saj, duke argumentuar se avionët aktualë presidencialë janë rreth 35 vjet të vjetër dhe kanë nevojë për zëvendësim.

Sipas tij, aeroplani i ri do të përdoret vetëm përkohësisht, pasi kompania Boeing pritet të dorëzojë avionët e rinj Air Force One në vitin 2028. Trump ka deklaruar më herët se, pas përfundimit të përdorimit, avioni nga Katari do të ekspozohet në një bibliotekë presidenciale.

Forcat Ajrore amerikane kanë bërë të ditur se konfigurimi i kabinës është ndryshuar shumë pak dhe se për përmirësimet e sigurisë janë shpenzuar më pak se 400 milionë dollarë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU