Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u lënduan të mërkurën nga një zjarr që përfshiu një bllok banesash në periferi të qytetit belg të Antwerpit, njoftoi policia, transmeton AP, përcjellë KosovaPress.
Sipas autoriteteve, flakët u shkaktuan nga një defekt teknik në katin përdhes të ndërtesës, ku jetojnë më shumë se 200 banorë në 80 apartamente, në lagjen Linkeroever. Për pasojë u prodhua sasi e madhe tymi, ndërsa katet e sipërme të ndërtesës 10-katëshe pësuan dëmet më të mëdha.
Policia evakuoi të gjithë banorët e objektit dhe u bëri thirrje edhe te të tjerët në zonën përreth të mbanin të mbyllura dyert dhe dritaret, si dhe të fiknin sistemet e ventilimit për shkak të ndotjes së ajrit nga tymi.
Personat e evakuuar u strehuan në një qendër lokale, ndërsa u aktivizua plani i emergjencës mjekësore për të shmangur mbingarkimin e spitaleve.
Sipas policisë, zjarrfikësit u përballën me kushte të vështira për shkak të përmasave dhe intensitetit të zjarrit. Në vendin e ngjarjes u angazhuan ekipe të shumta të emergjencës, policisë dhe një njësi e specializuar me dronë.
Pamjet televizive nga vendi i ngjarjes treguan një banor në katet e sipërme të mbështjellë nga tymi, i cili ishte dalë në ballkon në përpjekje për të marrë frymë, para se të zhvendosej drejt një dritareje tjetër


