Sot bëhen 14 vjet nga ndarja nga jeta e Gjeneral-Major Shaban Shalës, një prej figurave më të shquara të rezistencës dhe luftës për lirinë e Kosovës.
Gjeneral-Major Shaban Shala lindi më 1 dhjetor 1958 në Prizren, ndërsa ndërroi jetë më 5 janar 2012 në Prishtinë. Ai ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, ish-i burgosur politik, bashkëthemelues dhe drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), si dhe pjesëtar dhe udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.shkruan Raporto24
Pas luftës, Shaban Shala dha një kontribut të çmuar në procesin e transformimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, duke shërbyer me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Për veprën dhe sakrificën e tij, ai mban titullin e lartë “Hero i Kosovës”.
Gjeneral-Major Shaban Shala u varros me nderime të larta shtetërore në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, 14 vjet më parë, në mesin e bashkëluftëtarëve që dhanë gjithçka për lirinë e atdheut.
Raporto24 ju sjell fotografi nga ceremonia mortore e gjeneralit, i cili la pas një trashëgimi të lavdishme dhe një emër të gdhendur përjetë në historinë e Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës së Gjeneral-Major Shaban Shalës! 🇽🇰🇦🇱



