Drita vazhdon dominimin, fiton ndaj Malishevës – barazim dramatik mes Drenicës dhe Prishtinës

Kampionia në fuqi, Drita, ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme, duke mposhtur Malishevën me rezultat 2-0 në kuadër të xhiros së 27-të në AlbiMall Superligë. Ndeshja u zhvillua në fushën me bari artificial në Gjilan.

Blerton Sheji zhbllokoi rezultatin në minutën e 32-të me një goditje të bukur me kokë, ndërsa Kristal Abazaj vulosi fitoren në minutën e 65-të, duke përfituar nga një pasiguri në mbrojtjen e Malishevës.
Me këtë fitore, Drita e ruan vendin e parë në tabelë me 51 pikë, tri më shumë se Ballkani që renditet i dyti. Në anën tjetër, Malisheva mbetet në vendin e pestë me 40 pikë. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për kampionët.
Në ndeshjen tjetër të javës, Drenica dhe Prishtina ndanë pikët pas një barazimi dramatik 2-2, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Drenica kaloi e para në epërsi në minutën e 30-të me Ronaldon, i cili realizoi nga penalltia e akorduar pas ndërhyrjes së Dren Zeqirit ndaj Jan Solerit. Prishtina barazoi në minutën e 50-të me golin e Mario Ilievskit.
Vendasit rikthyen epërsinë në minutën e 61-të me golin e Kreshnik Ukës, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi kapiteni i Prishtinës, Leotrim Kryeziu, në minutën e 85-të, pas një reagimi të shpejtë në zonë dhe goditjeje me kokë.

Pas kësaj xhiroje, Prishtina renditet në vendin e tretë me 42 pikë, po aq sa Gjilani në pozitën e katërt, ndërsa Drenica mbetet në vendin e nëntë me 29 pikë./Rsporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU