Afaristi nga diaspora dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Dreshaj, ka reaguar përmes një letre të hapur lidhur me proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë, duke ngritur shqetësime për zgjatjen e paraburgimit dhe besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, Dreshaj thekson se paraburgimi shumëvjeçar pa një vendim përfundimtar ka tronditur besimin e qytetarëve në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë. Ai shprehet se proceset që zgjasin me vite krijojnë perceptim të padrejtësisë dhe paragjykimit ndaj të akuzuarve.
Sipas Dreshajt, gjykatat ndërkombëtare duhet të jenë simbol i drejtësisë, transparencës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke shtuar se çdo dyshim për ndikime politike apo parregullsi eventuale duhet të hetohet në mënyrë të pavarur.
Ai vlerëson se kritika ndaj proceseve gjyqësore nuk është kundërshtim i drejtësisë, por kërkesë për standarde më të larta juridike dhe respektim të parimeve të shtetit ligjor./Raporto24/





