Ish-kryetari i Podujevës dhe një nga figurat më të njohura të LDK-së, Agim Veliu, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një reagimi publik, Veliu ka kritikuar ashpër lidershipin aktual të LDK-së, duke thënë se dega në Podujevë dhe ai personalisht janë goditur dhe anashkaluar në vitet e fundit. Ai ka përmendur përçarjet brenda partisë, humbjet zgjedhore dhe rënien e elektoratit në Llap dhe në nivel vendi.
Veliu ka deklaruar se para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 kishte shprehur gatishmërinë për të qenë kandidat për deputet, por sipas tij, kryesia e degës kishte refuzuar ta shqyrtonte kandidaturën e tij me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh”.
Sipas tij, tani e njëjta kryesi e ka propozuar për kandidat pa asnjë konsultim paraprak, gjë që ai e cilësoi si pjesë të strategjive për mbijetesë politike.
“Me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit”, ka shkruar Veliu.
Ai theksoi se nuk largohet nga LDK-ja, por refuzon të jetë pjesë e një projekti që, sipas tij, e largon partinë nga identiteti i saj institucional dhe shtetformues.
Në fund të reagimit, Veliu u shpreh i bindur se LDK-ja do të rikthehet në rolin e saj historik si forcë shtetformuese.
“LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve. Zoti e ruajt LDK-në!”, përfundoi ai.





