Musliu-Shoshi ka deklaruar se dhuna nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë zgjidhje, duke theksuar se Kosova ka nevojë për maturi, respekt dhe përballje demokratike, e jo për nxitje të urrejtjes.
Ajo ka akuzuar pushtetin e kryeministrit Albin Kurti se po e shndërron gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes në metodë politike. Sipas saj, sulmet dhe linçimet publike ndaj njerëzve që kanë qenë pjesë e themeleve të UÇK-së janë të papranueshme dhe të rrezikshme.
Deputetja e PDK-së ka mbrojtur gjithashtu figurën e Lushtakut, duke thënë se ai nuk ka nevojë për “certifikim patriotizmi” nga askush.
“Ai është një nga njerëzit që ka qëndruar në kohët më të vështira për Kosovën, kur shumë të tjerë mungonin”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Në fund, ajo ka theksuar se respekti për historinë dhe për ata që kanë kontribuar në lirinë e vendit duhet të ruhet, pavarësisht dallimeve politike, duke shtuar se “historia nuk rishkruhet me propagandë e as me etiketime të ulëta”./Raporto24/





