Albanian For America (AFA), ka vlerësuar të premten procedimin nga Departamenti amerikan i Shtetit në Kongresin e SHBA-ve të lejes për eksportimin e artikujve të mbrojtjes dhe shërbimeve ushtarake për Kosovën në vlerë prej mbi 14 milionë dollarësh, si një tjetër dëshmi të partneritetit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Në reagimin e saj, AFA thekson se ky vendim përbën “mesazh të qartë besimi ndaj shtetit tonë dhe institucioneve të sigurisë”, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes amerikane për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe avancimin e rrugëtimit euro-atlantik të vendit.
“Përcjellja për shqyrtim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan dëshmon seriozitetin institucional dhe mbështetjen bipartizane që gëzon Kosova në Washington”, thuhet në reagim.
AFA rikujton se Shtetet e Bashkuara kanë qenë vazhdimisht në krah të Kosovës në momentet kyçe të shtetndërtimit dhe forcimit të sigurisë.
“Nga Humvee, ASV, dronët dhe sistemet moderne të mbrojtjes, e deri te mbështetja për transformimin e FSK-së në ushtri profesionale e të denjë për NATO, SHBA-të kanë qenë gjithmonë me Kosovën në momentet vendimtare”, thekson organizata.
Po ashtu, në reagim vlerësohet edhe angazhimi në rritje i Kosovës në misione ndërkombëtare të sigurisë.
“Angazhimi i FSK-së në misione ndërkombëtare dhe përgatitjet për pjesëmarrje në forcën stabilizuese në Gazë janë dëshmi e rolit gjithnjë e më aktiv të shtetit tonë në krah të aleatëve”, thuhet më tej.
Albanian For America ka shprehur “mirënjohjen e thellë për Departamentin amerikan të Shtetit, Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, si dhe për të gjitha institucionet amerikane që vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në forcimin e sigurisë, sovranitetit dhe rrugëtimit të saj euro-atlantik”.
Në fund, AFA rithekson përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe mbështetjen ndaj integrimit euro-atlantik të Kosovës.
“Mbështetja e Amerikës për Kosovën mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin tonë. Miqësia jonë me Amerikën është aleancë politike, vlerash, lirie dhe besimi në të ardhmen”, përfundon reagimi i AFA-së./Raporto24/





