Pas muajsh pritjeje, Don Xhoni ka vendosur t’u japë fund spekulimeve duke prezantuar zyrtarisht listën e këngëve të albumit të tij më të ri, i cili publikohet më 2 korrik, shkruan Raporto24.
Reperi e bëri njoftimin përmes një postimi në Instagram, ku ndau me fansat tracklist-ën e plotë dhe një mesazh që ngjalli menjëherë reagime: “Koha me fol veprat. 100% prej meje, për juve. Më 2 korrik tona ant. Game over!”.
Projekti përfshin 10 këngë, ku ndërthuren materiale solo dhe bashkëpunime me emra të njohur të skenës. Albumi hapet me “100%”, për të vazhduar me “Prada” dhe “Black Terror”, ndërsa “Ghetto” sjell një bashkëpunim me Vinz dhe Stealth.
Në listë bën pjesë edhe “BBB”, kënga që u publikua rreth dy muaj më parë dhe u prit shumë mirë nga publiku. Më tej vijnë “Obsession”, “Yoyo” në bashkëpunim me Gzuz, si dhe tre këngët e fundit “Texting”, “Sexy Mama” dhe “Anxhelina”.
Me publikimin e afërt të albumit, fansat tashmë kanë nisur numërimin mbrapa për një nga projektet më të rëndësishme të Don Xhonit këtë vit.


