Operacioni policor kundër krimit të organizuar, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe Drejtoria për hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, me asistimin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ka rezultuar me arrestimin e 9 personave.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë kryer kontrolle në 21 lokacione.
Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: 15 mijë euro, 5 vetura, 5 autobot për transport të derivateve, 2 armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, Dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relavante për rastin, 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
“Në këtë operacionin policor kanë marrë pjesë njësitë relevante të Policisë, Doganës dhe ATK-ja. Hetimet e përbashkëta kanë çuar në arrestimin e F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M., dhe G.Q., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale: Shpëlarje e parave, Kontrabandimi I mallrave në bashkëkryerje; Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin dhe Shmangie nga tatami”, thuhet në njoftim.
Në fund thuhet se ky operacion është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore. Pas grumbullimit të informacioneve dhe sigurimit të provave, është krijuar dyshimin e arsyeshëm se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumenteve të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës.
Gjatë ditës KosovaPress raportoi se Prokuroria Speciale bashkë Doganën e Kosovës dhe me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar një aksion të gjerë, në kuadër të të cilit kanë kryer bastisje në disa lokacione.
Nga ky aksion, Dogana e Kosovës përkatësisht drejtoria e hetimeve në doganë, bashkë me Policinë e Kosovës ka nis hetimin nën dyshimet për shmangie tatimore dhe futje të ujit në vend të naftës (përzierje).
KosovaPress nga burimet e saj merr vesh se janë tetë shtëpi private ku janë fshehur dokumentet për mospagesë tatami. Kështu në proces të verifikimit të personave që janë në tetë lokacione.
Nga aksioni i sotëm pritet të ketë edhe arrestime.
Një nga lokacionet për bastisje ka ndodhur edhe në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, ku ekipi i KosovaPress ka filmuar pjesëtarë të Njësisë Speciale. Porse, nga Policia e Kosovës nuk kanë konfirmuar lidhshmërinë e këtyre bastisjeve me prezencën e Njësisë Speciale në “Rrustem Statovci” në Prishtinë.


