Dh*na ndaj 17-vjeçares në Fier nga adoleshentet, reagon ashpër Luiz Ejlli: Kemi dështuar të gjithë

Një video e rëndë, ku disa vajza të reja shihen duke ushtruar dhunë ndaj një adoleshenteje, ka shkaktuar reagime të shumta dhe indinjatë të madhe në opinionin publik, transmeton Raporto24.

Pamjet, të cilat dyshohet se janë regjistruar rreth një muaj më parë dhe janë publikuar vetëm së fundmi në rrjetet sociale, kanë nxitur reagime të shumta nga figura publike, të cilët kanë kërkuar më shumë ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj të rinjve.

Mes tyre ka reaguar edhe këngëtari Luiz Ejlli, i cili përmes një mesazhi të gjatë ka shprehur shqetësimin e tij për përhapjen e rasteve të dhunës mes të miturve.

“Ka ngjarje që nuk të lënë vetëm pa fjalë, të lënë pa frymë. Kur një fëmijë ngre dorën mbi një fëmijë tjetër, nuk ka dështuar vetëm ai, kemi dështuar të gjithë”, ka shkruar Ejlli.

Artisti ka theksuar se dhuna nuk shfaqet papritur, por është rezultat i mungesës së edukimit, indiferencës dhe tolerimit të sjelljeve të gabuara.

“Një shoqëri nuk shembet kur dëgjon britmat, shembet kur mësohet me to. Dhuna nuk lind brenda një dite. Ajo ushqehet nga indiferenca, nga urrejtja, nga mungesa e edukimit dhe nga bindja se poshtërimi të bën të fortë”, është shprehur ai.

Luizi ka bërë thirrje që fëmijëve t’u mësohet jo vetëm edukimi shkollor, por edhe vlerat njerëzore.

“Trimëria nuk është të rrëzosh dikë që nuk mbrohet. Trimëria është të mos e lësh askënd vetëm. Videot fshihen me një klikim, por plagët që lë poshtërimi nuk fshihen për vite të tëra”, ka shkruar këngëtari.

Në fund, ai ka kërkuar që rasti të shërbejë si një thirrje për reflektim dhe jo vetëm si një moment zemërimi në rrjete sociale.

“Një komb nuk bëhet i madh nga stadiumet apo sheshet që mbush, por nga fëmijët që arrin të mbrojë. Dhuna nuk është kurrë forcë. Forca është ta ndalosh atë”, përfundoi Ejlli.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU