Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka nisur procedurën për shkarkimin e ministres Jelena Paunoviq, duke shpresuar që kërkesës t’i bashkohen edhe deputetët e tjerë të opozitës pro-evropiane.
Sipas tij, nëse ministrja do të shkarkohet apo jo, kjo do të varet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe nga vlerësimi i tij për dëmin politik që mund të shkaktojë qëndrimi i saj në qeveri.
Kamberi ka kërkuar reagim të qartë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se nuk mjaftojnë vetëm deklaratat, por nevojiten edhe masa konkrete.
“Pres që Bashkimi Evropian të mbrojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar, me tolerancë zero ndaj politikave që promovojnë spastrimin etnik, glorifikojnë kriminelët e luftës dhe mohojnë gjenocidin e krimet e luftës”, është shprehur ai.
Ai ka vlerësuar se në skenën politike serbe ka pak figura që mbajnë qëndrime të ndryshme nga ato të ministres Paunoviq.
Sipas Kamberit, një pjesë e opozitës parlamentare serbe, veçanërisht ajo që kundërshton integrimin në Bashkimin Evropian dhe favorizon afrimin me Rusinë, ndan qëndrime të ngjashme me pushtetin aktual sa i përket mohimit të krimeve të luftës.
“Fatkeqësisht, në politikën serbe ka shumë pak njerëz që mendojnë ndryshe nga zonja Paunoviq. Ajo nuk ka folur me emocione, por ka shprehur sinqerisht atë që mendon një pjesë e madhe e qeverisë aktuale dhe e qeverive që Serbia ka pasur ndër vite”, ka përfunduar Kamberi. /KosovaPress/


