Rashford rikthehet te Manchester United, e ardhmja e tij mbetet e paqartë

Marcus Rashford pritet t’i bashkohet Manchester Unitedit gjatë fazës përgatitore verore, pavarësisht se e ardhmja e sulmuesit anglez në “Old Trafford” vazhdon të mbetet e paqartë.

Sipas mediave britanike, Rashford do të rikthehet në stërvitje pas përfundimit të pushimit të detyrueshëm trejavor, të cilin e fitoi pas angazhimit me Anglinë në Kupën e Botës 2026, ku “Tre Luanët” arritën deri në gjysmëfinale.

Manchester United do ta nisë fazën përgatitore me ndeshje ndaj Rosenborgut në Norvegji më 24 korrik, për të vazhduar më pas me përballjet kundër Atletico Madridit në Stokholm dhe Paris Saint-Germainit në Goteborg. Më pas, skuadra e drejtuar nga Michael Carrick do të zhvillojë një kamp gjashtëditor në Irlandë, ku më 12 gusht do të përballet me Leeds Unitedin në stadiumin “Croke Park”.

Rashford pritet t’i bashkohet ekipit pikërisht gjatë këtij kampi stërvitor, ndërsa raportimet bëjnë të ditur se ai është i gatshëm të punojë me trajnerin Carrick në rast se nuk realizon një transferim gjatë kësaj vere.

Barcelona kishte vendosur të mos aktivizojë klauzolën për ta blerë përfundimisht sulmuesin pas huazimit të sezonit të kaluar, ndërsa as klauzola prej 40 milionë funtesh për një transferim te një klub i Premier Ligës nuk u shfrytëzua para afatit të fillimit të korrikut.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Rashford do të jetë pjesë e planeve të Manchester Unitedit për fillimin e sezonit të ri 2026/27 në Premier Ligë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU