Pas javësh spekulimesh dhe aludimesh nga ndjekësit, ish-banorët e Big Brother VIP Kosova, Aurora Rrusta dhe Kushtrim Kelani, kanë vendosur t’i japin fund dyshimeve rreth raportit të tyre, transmeton Raporto24.
Dyshja ka ndarë së fundmi momente të përbashkëta në rrjetet sociale, duke konfirmuar publikisht se janë në një lidhje dashurie. Fotografitë dhe postimet e publikuara në Instagram tregojnë se ata po kalojnë kohë së bashku, duke mos lënë më vend për hamendësime.
Kujtojmë se disa javë më parë, në media qarkulluan pamje ku Aurora dhe Kushtrimi shiheshin shumë të afërt gjatë një daljeje në një klub nate në Prishtinë. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk kishte reaguar publikisht për raportin deri tani.

Tashmë, me publikimin e fotove dhe momenteve nga takimet e tyre, ish-banorët e BBVK duket se kanë vendosur ta bëjnë publike romancën e tyre. Një nga postimet që tërhoqi vëmendje ishte ai i Kushtrimit, i cili ndau një moment nga një darkë romantike të shoqëruar me mbishkrimin “Date Night”, duke lënë të kuptohet qartë se bëhet fjalë për një lidhje të re dashurie.
Fotot e fundit kanë marrë reagime të shumta nga ndjekësit, të cilët prej kohësh dyshonin se mes tyre kishte nisur një romancë.



