Çëshjta e presidentit, Abdixhiku: Ne e propozojmë Vjosa Osmanin, Kurti të tregojë a i ka 66 vota për të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është drejtuar publikisht kryeministrit Albin Kurti lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet partive.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka kërkuar nga Kurti që të sqarojë qëndrimin e tij nëse synon një marrëveshje politike me LDK-në apo nëse është i orientuar drejt sigurimit të 90 votave në bashkëpunim edhe me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai ka theksuar se në rast se ekziston vullnet për bashkëpunim me LDK-në, atëherë duhet të hapet komunikimi i drejtpërdrejtë mes palëve.

Në këtë kontekst, Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja merr përgjegjësinë për propozimin e kandidatit për president, duke mos përjashtuar edhe emrin e Vjosa Osmanit, nëse sigurohen votat e nevojshme në Kuvend.

“I nderuar Kryeministër Kurti, Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të,” shkruan Abdixhiku.

Deklarata e Abdixhikut vjen pas ofertës së Vetëvendosjes për të propozuar tre kandidatë konsensual për president nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU