Më 2 shtator 2025, ndërroi jetë veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Rasim Zenelaj, i lindur në fshatin Sllatinë të Podujevës.
Që në rininë e hershme, Zenelaj u dallua për angazhimin e tij politik e kombëtar. Ai ishte themelues dhe pjesë e Partisë së Parë Shqiptare në diasporë, duke kontribuar fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve dhe për kauzën kombëtare, veçanërisht gjatë veprimtarisë së tij në Gjermani.
Më 14 prill 1981, Zenelaj ra viktimë e një atentati të organizuar nga shërbimi sekret jugosllav (UDB) në Frankfurt. Ai mbeti i plagosur rëndë dhe invalid për jetën, por mbijetesa e tij dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare e shndërruan në simbol të qëndresës dhe sakrificës.
Rasim Zenelaj do të kujtohet si figurë frymëzuese për brezat e rinj dhe si një dëshmitar i gjallë i rezistencës shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi morale e historike të pavdekshme.
Varrimi i tij do të bëhet më 5 shtator 2025, në orën 18:00, në varrezat e reja të fshatit Obrançë./Raporto24/



