Federata Angleze e Futbollit ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Thomas Tuchel, pavarësisht humbjes 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.
Anglia kaloi në epërsi në fillimin e pjesës së dytë përmes Anthony Gordon dhe dukej pranë kualifikimit në finalen e parë të Kupës së Botës që nga viti 1966.
Megjithatë, vendimet taktike të Tuchel pas golit kanë shkaktuar kritika të mëdha, pasi trajneri gjerman bëri disa zëvendësime mbrojtëse dhe e tërhoqi skuadrën pranë zonës së saj.
Zëvendësimet mbrojtëse i kushtuan Anglisë
Në minutën e 72-të, Tuchel largoi nga fusha autorin e golit, Anthony Gordon, duke aktivizuar qendërmbrojtësin Ezri Konsa dhe kaluar në një sistem me pesë lojtarë në mbrojtje.
Dhjetë minuta më vonë, Dan Burn zëvendësoi Reece Jamesin e dëmtuar, ndërsa mbrojtësi i krahut Nico O’Reilly hyri në vend të mesfushorit Declan Rice.
Argjentina e shfrytëzoi tërheqjen e Anglisë dhe e shtoi presionin. Lionel Messi krijoi dy gola brenda një kohe të shkurtër, duke asistuar fillimisht për Enzo Fernandezin dhe më pas për Lautaro Martinezin, të cilët përmbysën rezultatin.
Tuchel reagoi duke aktivizuar Ivan Toney dhe Marcus Rashford në minutat shtesë, por ishte tepër vonë për ta ndryshuar rrjedhën e takimit.
Rooney: Gjithçka nisi nga vendimet e trajnerit
Legjenda e Anglisë, Wayne Rooney, ishte ndër kritikët më të ashpër të vendimeve të Tuchel.
“U dorëzuam. Gjithçka nisi nga trajneri dhe nga vendimet që ai mori. Qasja ishte shumë pasive”, deklaroi Rooney për BBC-në.
Kur pashë ndryshimet që bëmë në rezultatin 1-0, mendova se, nëse Argjentina do të shënonte, ne nuk do të arrinim as ta çonim ndeshjen në vazhdime.”
Ish-sulmuesi i Manchester United iu bashkua një numri të madh analistësh që e akuzuan Tuchel se e humbi iniciativën duke u përpjekur ta mbronte avantazhin minimal.
Tuchel arsyeton vendimet taktike
Pas ndeshjes, trajneri i Anglisë shpjegoi se kalimi në një mbrojtje me pesë lojtarë erdhi si pasojë e hapësirave të mëdha dhe numrit të lartë të krosimeve të Argjentinës.
“Edhe në ndeshjet e kaluara kam bërë zëvendësime sulmuese. Këtë herë thjesht u përpoqëm t’i ndihmonim lojtarët”, deklaroi Tuchel.
“Menjëherë krijuan një rast dhe vendosëm të kalonim në një mbrojtje me pesë lojtarë, sepse hapësirat ishin tepër të mëdha.”
“Ata po fitonin çdo duel ajror dhe po dërgonin vazhdimisht krosime. Kalimi në mbrojtjen me pesë lojtarë kishte për qëllim t’i mbyllnim hapësirat në qendër dhe të ishim më të fortë në ajër.”
Tuchel theksoi se problemet e Anglisë kishin nisur përpara zëvendësimeve.
“Menjëherë pas golit tonë, pa bërë ende asnjë ndryshim, lejuam shumë krosime dhe shumë raste. U përpoqëm vetëm ta ndihmonim skuadrën”, shtoi ai.
Federata Angleze i jep mbështetje Tuchel
Pavarësisht thirrjeve që Tuchel të shkarkohet pas eliminimit, drejtuesit e Federatës Angleze kanë vendosur ta mbështesin trajnerin gjerman.
Sipas burimeve të ESPN, Tuchel pritet të qëndrojë në krye të Anglisë deri në Kampionatin Evropian 2028.
Trajneri 52-vjeçar kishte nënshkruar një vazhdim dyvjeçar të kontratës përpara fillimit të Kupës së Botës dhe Federata Angleze dëshiron që ai ta vazhdojë punën, edhe pse nuk u arrit objektivi për ta fituar trofeun më prestigjioz të futbollit.
“Është shumë e dhimbshme të arrish kaq pranë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Federatës Angleze, Mark Bullingham.
“Lojtarët dhe Thomas dhanë gjithçka. Skuadra, trajnerët dhe stafi nuk mund të kishin punuar më shumë gjatë këtij turneu.”
“Dua t’i falënderoj të gjithë, si dhe tifozët tanë të mrekullueshëm këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Angli. E kemi ndier mbështetjen e tyre në çdo hap dhe jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer që nuk arritëm të shkonim më tej.”
Anglia përballet me Francën për vendin e tretë
Skuadra e Tuchel do të përballet tani me Francën në ndeshjen për medaljen e bronztë, e cila do të zhvillohet të shtunën në Miami.
Trajneri anglez pranoi se asnjëra prej skuadrave nuk dëshironte të luante në këtë takim, pasi synimi i të dyja kombëtareve ishte finalja.
“Asnjë nga lojtarët tanë dhe asnjë nga futbollistët francezë nuk dëshiron ta luajë këtë ndeshje. Të gjithë dëshironin të ishin në finale”, deklaroi Tuchel.
“Ne dhamë gjithçka për të arritur atje. Të gjithë marrin pjesë për ta fituar Kupën e Botës, por situata tani është kjo dhe duhet ta pranojmë.” /GazetaExpress/


