Gjykata dënon Arlind Manxhuka dhe Egon Azemi me 1 vit e 6 muaj burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, dhe deputetin e LVV-së, Egon Azemi, me nga 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Ndërkohë, të akuzuarit Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani janë dënuar me nga 6 muaj burgim për veprën penale “kanosje”.
Sipas aktakuzës së ndryshuar në vitin 2026, Manxhuka dhe Azemi akuzohen për nxitje të përçarjes, ndërsa Zenelaj dhe Elshani për kanosje ndaj prokurorit special Afrim Shefkiu dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në vendimin e parë për këtë rast, Gjykata Themelore e kishte liruar Manxhukën nga akuza për nxitje të përçarjes, ndërsa Azemin dhe Elshanin i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim për kanosje, dhe Zenelajn me 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes.
Rasti lidhet me reagimet publike pas lirimit nga paraburgimi të Dejan Pantiq në dhjetor të vitit 2022, i dyshuar për vepër terroriste. Në atë kohë, Azemi kishte shpërndarë një citat me përmbajtje kërcënuese, ndërsa Manxhuka kishte reaguar duke e cilësuar vendimin si “akt tradhtie”.
Po ashtu, Elshani akuzohet se kishte bërë një postim kërcënues ndaj gjyqtarit dhe prokurorit, ndërsa Zenelaj për shkrime grafiti në Prishtinë, ku ata përmendeshin me gjuhë fyese.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU