​Incidentin në Skenderaj mes Mehanit e Lushtakut policia e quan “lëndim i lehtë trupor”

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar pas incidentit të ndodhur të enjten në mesditë, në Skenderaj, ku u përfshinë kryetari i komunës, Sami Lushtaku dhe kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysni Mehani.

Sipas njoftimit zyrtar, i cili nuk përmend fare dy politikanët drenicas që vijnë nga Vetëvendosje dhe PDK, rasti është iniciuar si “lëndim i lehtë trupor”.

“Pas pranimit të një informate për rrahje në një lokal, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore. Si pasojë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton KosovaPress.

Incidenti ndodhi pas një përplasjeje verbale mes Hysni Mehanit dhe Sami Lushtakut në një lokal në Skenderaj, e cila më pas eskaloi në konflikt fizik. Pas ngjarjes, të dy palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për provokim dhe dhunë. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se Mehani ishte sulmuar fizikisht, ndërsa nga ana tjetër, Lushtaku ka mohuar akuzat dhe ka thënë se reagimi erdhi pas provokimeve që bëri kandidati I VV-së, duke e quajtur atë “Sami Serbia”.

Në njoftimin e saj policia nuk ka thënë asnjë fjalë për dërgimin e forcave të veta policore në Drenicë, mbrëmjen e së enjtes. /KosovaPress/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU