Ish Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka kërkuar reflektim të thellë brenda partisë pas rezultateve zgjedhore, duke theksuar se LDK duhet të merret me shkaqet që e kanë lënë për herë të tretë radhazi në vendin e tretë.
Në një status të publikuar në Facebook, Beqiri shkruan se “nuk është turp të humbasësh, por është turp dhe e papranueshme të mos pranosh humbjen, të mos reflektosh dhe të sillesh sikur je fitues”.
Ai vlerëson se në LDK nevojiten ndryshime të shpejta, duke kritikuar, sipas tij, “farsat, fjalët boshe, dekorimet dhe dekoratat për humbjet”.
Beqiri kërkon që partia të mbajë zgjedhje të reja në të gjitha nivelet, duke rikujtuar se në LDK ka ekzistuar standardi që kryetari largohet pas humbjes së zgjedhjeve si akt përgjegjësie.
“LDK nuk është pronë private. LDK është e qytetarëve të Kosovës, e anëtarëve të saj; është aset kombëtar”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Beqiri thekson se LDK është më e rëndësishme se çdo post individual, duke përfunduar mesazhin me fjalët: “LDK-ja është më e vlefshme se posti i kujtdoqoftë. LDK mbi të gjitha.”


