Vendimi i Julianës Nura për t’iu nënshtruar procedurës së fertilizimit in vitro (IVF) dhe për t’u bërë nënë si prind i vetëm ka nxitur debate të shumta në rrjetet sociale. Pas reagimeve të shumta, ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova” ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të sqarojë publikisht arsyet e zgjedhjes së saj.
Në një intervistë për “T7”, Juli u shpreh se nuk beson se mirëqenia e një fëmije përcaktohet nga modeli tradicional i familjes, por nga përkushtimi dhe dashuria që ai merr gjatë rritjes, transmeton Raporto24.
Sipas saj, një nënë e lumtur dhe e aftë për t’i ofruar fëmijës kujdesin e nevojshëm është elementi më i rëndësishëm në edukimin e tij. Ajo pranoi se figura e babait ka peshën e vet, por theksoi se jeta mund të sjellë njerëz që luajnë një rol prindëror shumë më të mirë sesa një prind biologjik.
Duke iu referuar kritikave, Juli tha se ekzistojnë plot raste kur prindërit biologjikë nuk arrijnë të përmbushin përgjegjësitë e tyre, ndaj nuk e konsideron të drejtë gjykimin ndaj zgjedhjes së saj.
Ajo reagoi edhe ndaj komenteve që e cilësonin vendimin e saj si egoist, duke deklaruar se egoizëm nuk është të luftosh për t’u bërë nënë, por të braktisësh një fëmijë pasi ai vjen në jetë.
Me këtë deklaratë, Juli u është përgjigjur edhe personazheve publikë që e kanë kritikuar ditët e fundit, duke lënë të kuptohet se mbetet e vendosur ta çojë deri në fund ëndrrën e saj për t’u bërë nënë.


