Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi sot familjen e policit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, pas vendimit të gjykatës për dënimin e të akuzuarve në rastin e sulmit në Banjskë.
Gjatë vizitës, Osmani theksoi se sakrifica për shtetin e Kosovës mbetet e vazhdueshme dhe kërkon përkushtim të përditshëm nga të gjithë qytetarët.
Bunjaku: Lum Kosova që ka pasur djem si Afrim Bunjaku, që i kanë dalë zot vendit në çdo kohë
Video:
“Dëshmon se sakrifica për këtë vend nuk ka mbaruar ende. Edhe pse kemi kaluar shumë vite nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë, liria duhet të ruhet çdo ditë. Lum Kosova që ka pasur djem si Afrim Bunjaku, që i kanë dalë zot vendit në çdo kohë. Është gjaku i tij, sakrifica e tij dhe sakrifica e juaj si familje, dhe e shumë familjeve në Kosovë, që janë arsyeja pse Kosova sot është vend sovran në çdo centimetër të saj”, tha Osmani.
Ajo tha se fatkeqësisht e kemi një fqinj që prej shumë shekujsh ka sjellë probleme, por që sipas saj çizma e Serbisë nuk do të shkel më këtej.
Osmani: Amaneti i Afrim Bunjakut dhe i shumë djemve e vajzave që kanë dhënë jetën për këtë vend do të jetojë përherë
Video:
“Mbi të gjitha, amaneti i tij dhe i shumë djemve e vajzave që kanë dhënë jetën për këtë vend do të jetojë përherë. Këtë ju siguroj: keni fëmijë të jashtëzakonshëm, me të cilët jemi takuar dhe i kemi pritur, edhe djem edhe vajza, që vazhdojnë me ju bërë krenarë duke vazhduar rrugën e babait të tyre. Jam e bindur se edhe nipat e mbesat do ta vazhdojnë këtë rrugë për ta bërë këtë vend krenar”, tha ajo.
Ish-presidentja shtoi se sakrifica e Bunjakut dhe e familjes së tij si dhe e shumë familjeve të tjera në Kosovë, është themeli i sovranitetit të vendit. Sipas saj, drejtësia për këtë rast ende nuk është e plotë.
Osmani: Duhet të dorëzohen Milan Radoiçiq dhe kriminelët e tjerë për të marrë dënimin e merituar
Video:
“Duhet që Milan Radoiçiç të dorëzohet në Kosovë dhe të marrë dënimin e merituar, si dhe shumë kriminelë të tjerë që kanë vepruar nën urdhrin e Aleksandar Vuçiqit. Ky është vetëm hapi i parë i drejtësisë për heroin Afrim. Por në këto momente të rënda që i kemi përjetuar si shtet, na kanë qëndruar pranë miqtë tanë dhe na kanë ndihmuar edhe Amerika dhe shtetet e tjera, jo vetëm atë ditë, por edhe në ditët kur janë bërë hetimet për rastin e Banjskës. Tash e kemi këtë vendim që është hapi i parë i drejtësisë për heroin Afrim dhe për ju si familje”, tha ajo.
Xhaxhai i heroit Afrim Bunjaku, Gani Bunjaku kujtoi përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së vendit, duke shtuar se ai gjithmonë kishte theksuar rëndësinë e mbrojtjes së territorit të Kosovës.
Bunjaku: Afrim Bunjaku thoshte “Kur s’e mbrojmë tokën tonë, s’ka kuptim të shkojmë ta mbrojmë diku tjetër”
Video:
“Kur s’e mbrojmë tokën tonë, s’ka kuptim të shkojmë ta mbrojmë diku tjetër. Tokën tonë duhet ta mbrojmë”.
Gani Bunjhaku tha se deri në pikën e fundit të gjakut, çdo shqiptar duhet të derdh në këtë tokë.
Bunjaku: Mitrovica është shpirti ynë
Video:
“Boll kemi derdhur, por për ta mbrojtur, Mitrovica është shpirti ynë”, kishte thënë heroi Afrim Bunjaku, sipas familjarëve.
Bunjaku shprehu shqetësimin për deklaratat publike që janë bërë në Kuvendin e Kosovës si dhe tha për Vjosa Osmanin se Kosvës i duhen njerëz të tillë.
Bunjaku: Na duhen njerëz të tillë si Vjosa Osmani
Video:
“Pas vetes na ke me shpirt, me zemër dhe me mendje. Na duhen njerëz të tillë. Për të ecur përpara duhet njerëz adekuatë në pozicionet e tyre, që të ecim mbarë e mirë”, tha ai.
Ekipi i KosovaPressit ka ndjekur procesin e gjykimit të të akuzuarve për rastin e Banjskës së bashku me familjen e heroit Afrim Bunjakut.
Gjykata Themelore të Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Blagoje Spasojeviqit dhe Vladimir Toliqit, të cilët u shpallën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi më 24 shtator 2023. Ndërsa me 30 vjet burgim u dënua Dushan Maksimoviq. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën tre të tjerë.





