Avokati Ekrem Hoxha, përfaqësues ligjor i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se paditësi – si një nga zërat kryesorë të komunitetit të bizneseve dhe organizatave të tjera – nuk e ka kundërshtuar procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, por ka theksuar nevojën e një faze tranzitore për t’u përgatitur për një ndryshim kaq të madh.
“Komuniteti i bizneseve nuk ka qenë i përgatitur për një ndryshim kaq radikal, me efekte pothuajse shkatërruese për ekonominë,” tha Hoxha.
Sipas tij, paditura (ZRRE) ka shkelur ligjin, pasi ka pasur obligim ligjor të kryente një analizë paraprake, gjë që nuk e ka bërë me vetëdije, duke shmangur detyrimet ligjore dhe duke krijuar favore për operatorin privat KESCO dhe disa operatorë të tjerë të licencuar, “për të kamufluar mungesën e konkurrencës reale në treg”.
“Konkurrenca reale nuk ekziston – e dëshmojnë të dhënat publike, sepse operatorët e tjerë të licencuar nuk garantojnë furnizim me energji elektrike dhe në 90% të rasteve nuk parashtrojnë fare kërkesa nga konsumatorët jo-familjarë,” shtoi avokati i OEK-ut.
Ai theksoi se vetë ligji për energjinë elektrike, në hyrje të tij, potencon se është “në përputhje të pjesshme me direktivat e BE-së” dhe se liberalizimi është justifikuar me referenca të zbehta ndaj direktivave evropiane, për të arsyetuar një vendimmarrje që sipas tij është “e paligjshme dhe pa bazë formale”.
Hoxha argumentoi gjithashtu se ZRRE ka tejkaluar kompetencat ligjore, duke vepruar jashtë mandatit të saj dhe duke nisur procesin e liberalizimit “qëllimisht, për të kamufluar paligjshmërinë”, pa vendime formale të bordit dhe pa analizë të konkurrencës nga autoritetet përkatëse.
“Kështu është shkelur parimi themelor i proporcionalitetit dhe transparencës në proces,” tha ai, duke shtuar se çdo akt nënligjor i një rregullatori ekonomik – si rregulloret dhe udhëzimet – duhet të trajtohet si vendim administrativ individual dhe si i tillë të shqyrtohet nga Gjykata Supreme.
Përfaqësuesi ligjor i ZRRE-së kundërshtoi padinë në tërësi, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj dhe në akte”.
“Të gjitha aktet e kontestuara janë nxjerrë në kompetencë ligjore të ZRRE-së, sipas ligjit për ZRRE dhe ligjit për energjinë elektrike. Si institucion i pavarur, ZRRE ka vepruar në përputhje me parimet e pavarësisë, transparencës, konkurrencës së lirë dhe mbrojtjes së konsumatorëve,” – tha përfaqësuesi ligjor i ZRRE-së.
Ai kujtoi se Gjykata Supreme tashmë ka konstatuar se kërkesa për masë sigurie është e palejueshme, pasi “nuk ekziston ndonjë cenim apo pasojë e pariparueshme nga veprimet e ZRRE-së”, çka, sipas tij, tregon se padia nuk ka bazë ligjore as materiale.
“Padia është pa objekt dhe pa interes juridik. Asnjë konsumator nuk ka mbetur pa furnizim me energji elektrike që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Udhëzuesi për liberalizim të tregut dhe ndryshimet përkatëse janë bërë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës,” u shpreh ai.
ZRRE konsideron se asnjë e drejtë ligjore e paditësit apo anëtarëve të saj nuk është cenuar, ndërsa “interesi publik dhe ai i konsumatorëve është mbrojtur plotësisht”. Prandaj, kërkoi refuzimin e padisë si të pabazuar.
Avokati Hoxha reagoi më pas, duke theksuar se edhe vetë përfaqësuesi i ZRRE-së e ka pranuar se “udhëzuesi dhe plotësim-ndryshimet janë plane të përkohshme”, gjë që, sipas tij, ngre dyshime mbi ligjshmërinë e procesit.
“Ligji për energjinë elektrike bën ndarje të qartë vetëm mes konsumatorëve familjarë dhe jo-familjarë. Si mund të flitet për liberalizim të tregut kur udhëzimet nuk janë akte rregullative dhe kur mungon analiza e konkurrencës?” – tha ai.
Kryetarja e trupit gjykues dëgjoi palët dhe njoftoi se vendimi do të shpallet pas shqyrtimit të plotë të argumenteve ligjore të paraqitura nga të dyja anët.


