​Rusia vret pesë ukrainas, Ukraina një rus, “preket” edhe Rumania

Sulmet me dronë dhe raketa ndaj qytetit ukrainas Dnipro, të kryera nga Rusia, kanë vrarë të paktën pesë persona dhe kanë plagosur 34 të tjerë, thanë autoritetet lokale të shtunën, raporton AP, përcjellë KosovaPress..

Trupat e katër personave u gjetën në rrënojat e një shtëpie të shkatërruar nga sulmet gjatë natës, tha kreu rajonal i Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha.

“Rusët kanë goditur Dnipron dhe qytete e komunitete të tjera pothuajse gjatë gjithë natës,” shkroi Hanzha në Telegram për sulmet, të cilat shkaktuan zjarre në gjithë Dnipron dhe shkatërruan pjesërisht disa ndërtesa banimi, biznese dhe një shtëpi private, duke plagosur 27 persona.

Një person tjetër u vra në një sulm të veçantë rus në Dnipro të shtunën pasdite, sipas Hanzhës, në të njëjtën zonë banimi të goditur nga sulmet e natës. Edhe shtatë persona të tjerë u plagosën, në këtë rast.

Në jugperëndim, dy persona u plagosën nga sulmet me dronë gjatë natës në rajonin e Odesës. Ndërtesa banimi, infrastruktura portuale dhe makina u dëmtuan në jug të rajonit, tha kreu rajonal Oleh Kiper të shtunën.

Në Rusi, një grua u vra dhe një burrë u plagos rëndë nga një sulm me dron ukrainas në rajonin kufitar të Belgorodit, thanë zyrtarët lokalë.

Pas sulmeve të natës, ministria e mbrojtjes së Rumanisë tha të shtunën se fragmente dronësh u gjetën në një zonë banimi të qytetit juglindor Galati, pranë kufirit të vendit anëtar të NATO-s me Ukrainën. Nuk u raportua për viktima.

Rumania ka konfirmuar disa herë më parë gjetjen e fragmenteve të dronëve në territorin e saj.

Sulmet gjatë natës erdhën pas një shkëmbimi të të burgosurve të premten, ku Rusia dhe Ukraina ia kthyen njëra tjetrës 193 ushtarë gjithsej.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU