Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për deputetë.
Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Hamza tha se PDK-ja ka pranuar një letër nga Limaj, përmes së cilës është ofruar mbështetja e Nismës për PDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
E presim dhe e mirëpresim kontributin që do të japë Fatmir Limaj dhe Nisma Socialdemokrate… Kësaj radhe nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, ka thënë Hamza. “Sigurisht se z. Limaj në të ardhmen, në procese të rregullta të brendshme zgjedhore, është i mirëpritur të jetë pjesë e PDK-së. Sa i përket garimit në këtë listë, është qëndrim i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, vullnet i mirë nga ana e Nismës Socialdemokrate, pastaj në zgjedhjet e ardhshme do t’i trajtojmë në mënyrë të duhur. Kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, u shpreh Hamza.
Ai sqaroi se Limaj nuk ka kërkuar të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së.
“Për korrektësi ndaj jush, Limaj nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për deputetë. Ky ka qenë edhe vullneti i tij, pasi në letrën e dërguar ai nuk ka kërkuar të jetë pjesë e listës, por ka ofruar mbështetjen e subjektit të tij për rrugëtimin tonë të përbashkët”, u shpreh Hamza.
Hamza komentoi edhe praktikën e partive politike për nominimin e kandidatëve për kryeministër, duke thënë se në zgjedhje të gjithë fillimisht garojnë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.





