Visar Azemi: Spekulime lajmet se Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar ministri në takimin Albin Kurti–Lumir Abdixhiku

Sekretari organizativ i LDK-së, Visar Azemi, ka mohuar raportimet se kjo parti ka kërkuar pozita ministrore në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Azemi i ka quajtur këto raportime “spekulime”, duke theksuar se LDK-ja asnjëherë nuk ka kërkuar pozicione nga partia në pushtet.
Sipas tij, qëndrimi i LDK-së ka qenë i qartë që nga fillimi: shmangia e vakumit institucional dhe zgjedhja sa më e shpejtë e presidentit të vendit. Ai ka theksuar se partia ka propozuar një emër konsensual që do të bashkonte të gjitha subjektet politike, ndërsa në mungesë të tij, ka kërkuar një marrëveshje politike.

“LDK-ja nuk e ka vendosur veten në qendër të këtyre diskutimeve, pasi partia në pushtet ka mundësinë të zgjedhë partnerët”, u shpreh Azemi, duke shtuar se vonesat eventuale për zgjedhjen e presidentit nuk janë përgjegjësi e LDK-së.
Sa i përket listës së re të kryesisë së LDK-së, ai bëri të ditur se ajo është ende preliminare dhe pritet të plotësohet me emra të tjerë.
“Lista nuk është përfundimtare dhe do të zgjerohet edhe me përfaqësues nga degë të ndryshme që ende nuk janë përfshirë”, tha Azemi, duke lënë të hapur mundësinë që së shpejti të publikohet përbërja finale e kryesisë

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU