Zbulohen detajet e kontratave të reja të Interit me Lautaron, Mkhitaryan dhe Dimarcon

Interi raportohet se do të njoftojë muajin e ardhshëm kontratat e reja me Lautaro Martinez, Federico Dimarco dhe Henrikh Mkhitaryan.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, “Nerazzurrët” kanë arritur marrëveshje me tre futbollistët e përmendur, marrëveshje të cilat do të zyrtarizohen deri më 6 janar 2024, transmeton Gazeta Express.

Lautaro dhe Dimarco thuhet se do të rinovojnë deri në vitin 2028. Sulmuesi argjentinas do të bëhet lojtari më i paguar në ekip me një pagë të re 8 milionë euro në vit plus shtesa. “El Toro” aktualisht ka një kontratë që i siguron 6 milionë euro në vit plus bonuse.

Dimarco gjithashtu do të ketë rritje të pagës. Mbrojtësi italian aktualisht merr 2.2 milionë euro në sezon, por do të fitojë 4 milionë euro në vit nga 2024/25.

Mkhitaryan pritej të nënshkruante kontratën e tij të re këtë javë, por agjentja e tij, Rafaela Pimenta, ka mbetur jashtë vendit me angazhime të tjera pune dhe do të jetë në Milano javën e ardhshme për të vënë stilolapsin në letër për një marrëveshje të re për mesfushorin armen.

Kontrata e Mkhitaryan skadon në qershor 2024, por ai ka rënë dakord të vazhdojë deri në vitin 2025 me një opsion për një sezon të mëtejshëm. Paga e tij aktuale prej 4 milionë euro në vit do të konfirmohet në marrëveshjen e re. /Gazeta Express/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU