Kryeministri Albin Kurti përkujton Gjergj Kastriotin – Skënderbeun në 558-vjetorin e vdekjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, duke theksuar se ai është personaliteti më i rëndësishëm dhe më i njohur në tërë historinë e shqiptarëve.
Në një postim në Facebook, Kurti ka kujtuar se më 17 janar 1468, Skënderbeu vdiq në Lezhë, i rrethuar nga bashkëluftëtarët dhe lavdia e fitoreve të tij, pas një çerekshekulli udhëheqjeje të rezistencës kundër Perandorisë Osmane dhe përpjekjeve për ndërtimin e aleancave politike me fisnikët arbër dhe faktorë të tjerë rajonalë,shkruan Kurti trasmeton Raporto24
Ai ka theksuar se Gjergj Kastrioti, pinjoll i dinastisë fisnike të Kastriotëve, u shndërrua nga një sinjor mesjetar në një strateg ushtarak dhe prijës politik ndër më të njohurit në Evropë. Nga viti 1443, kur u rebelua kundër osmanëve, e deri në vdekjen e tij më 1468, Skënderbeu udhëhoqi një qëndresë të gjerë kundër depërtimit osman në Evropë, duke bashkuar fisnikët shqiptarë në Kuvendin e Lezhës më 1444 dhe duke ndërtuar aleanca me Mbretërinë e Napolit dhe Aragonës, si dhe marrëdhënie të rëndësishme diplomatike me Papatin, Republikën e Raguzës dhe Republikën e Venedikut.
Sipas Kurtit, fitoret e Skënderbeut kundër osmanëve, por edhe kundër kundërshtarëve të tjerë në Ballkan dhe Itali, e bënë atë një nga prijësit ushtarakë më të shquar dhe më të paepur të Evropës së asaj kohe. Figura e tij vazhdoi të frymëzojë ndër shekuj shqiptarët kudo që jetuan, përfshirë arbëreshët në Itali dhe shqiptarët nën sundimin osman.
Kryeministri ka theksuar se në shekullin XIX, rilindasit e vendosën Skënderbeun si një nga shtyllat kryesore të kombformimit dhe shtetndërtimit shqiptar, ndërsa figura e tij vazhdon të mbetet në qendër të identitetit kombëtar dhe historik shqiptar edhe sot.
Në fund të postimit, Kurti ka nderuar heroin kombëtar me fjalët:
“Lavdi ndër kohëra Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, heroit kombëtar të të gjitha epokave historike të shqiptarëve!”/Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU