Kurti: Themeluam Gardën për Mbrojtjen e Natyrës në Ditën e Tokës

Kurti: Themeluam Gardën për Mbrojtjen e Natyrës në Ditën e Tokës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje të re shtetërore për mbrojtjen e ambientit.

Sipas tij, kjo gardë përfaqëson një shtet që vepron dhe parandalon dëmet mjedisore, në vend që të reagojë pasi ato të kenë ndodhur. Kurti theksoi se për vite me radhë natyra në Kosovë është trajtuar si “hapësirë pa zot”, ku mungesa e ligjit dhe e shtetit ka lejuar abuzime dhe degradim.
Ai rikujtoi se gjatë mandatit të kaluar janë investuar mbi 10 milionë euro për rregullimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve, duke përfshirë projekte në Lumbardhin e Deçanit, lumin Shtimjana dhe lumin Llap, si dhe pastrimin e shumë lumenjve në komuna të ndryshme të vendit.
Kurti po ashtu paralajmëroi masa të reja për mbrojtjen e mjedisit, përfshirë mbylljen e deponive ilegale, krijimin e një sistemi modern për menaxhimin e mbeturinave dhe rritjen e inspektimeve dhe ndëshkimeve për ndotësit.
Ai bëri të ditur se Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektoratin në fushën e mjedisit dhe sektorëve të ndërlidhur, duke e cilësuar atë si një veprim konkret për mbrojtjen e ambientit.
Në fund, Kurti theksoi se Garda për Mbrojtjen e Natyrës është një aleancë mes qytetarëve dhe shtetit, duke nënvizuar se mbrojtja e natyrës është kusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie afatgjatë./Raporto24

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU