“18 muaj pa asnjë ditë pushimi”, dëshmitë e punëtorëve në Prishtina

Pagat e ulëta, mungesë pushimi dhe pasiguria në punë janë shqetësimet kryesore që punëtorët e sektorit privat i kanë në Kosovë. Për KosovaPress, ata theksuan se realiteti i përditshëm i tyre mbetet larg standardeve minimale të dinjitetit dhe sigurisë në punë.

Hajriz Kadriu, punëtor i sektorit privat, tha se pjesëmarrja e tij në protestë ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, të cilat sipas tij, po shkelen vazhdimisht. Ai ngriti shqetësimin për keqtrajtim dhe kushte të rënda ekonomike.

Kadriu: Punëtorët janë duke u keqtrajtu, pagesat i kanë shumë të ulëta

Video:

“Punëtorët janë duke u keqtrajtu, po edhe diçka tjetër për gjendjen ekonomike, pagesat i kanë shumë të ulëta. Një kompani e jep sot një tender për gjashtë muaj, domethënë punëtorët mbesin krejt ato gjashtë muaj pa pushim. I jepet kompanisë tjetër prapë, prapë pa pushim. Edhe të treta, tri kompanitë si i përcjell unë me shokë, domethënë jemi 18 muaj pa një ditë pushimi. Nëse ka ndonjë të sëmurë në shtëpi, domethënë duhet me shtri dorën ose me bë kërkesa humanitare me pasë dikush që i ndihmon. Kjo është jeta e punëtorit sot. Sa punëtorë u mbytën nëpër vendet e punës, kërkush s’ndërmerr masa. Nuk i intereson çka po ndodh me popull, te punëtori”, deklaroi Kadriu.

Ai shtoi se mungesa e reagimit institucional ndaj aksidenteve në vendin e punës është shqetësuese.

Edhe Jetmir Krasniqi, kryetar i sindikatës në QKUK, theksoi problemin e mungesës së pushimit vjetor për punëtorët e sigurimit. Sipas tij, kontratat e shkurtra nga kompani të ndryshme po i lënë punëtorët pa të drejtën për pushim.

Krasniqi: Punëtorët po mbesin pa pushim vjetor

Video:

“Prej 2024-ës deri në 2026-tën tash që jemi, nuk kemi pushim vjetor. Arsyeja që një kompani e merr për pesë muaj, një për tre muaj, një për pesë muaj edhe na mbesim pa pushim. Kompanitë thonë “pa i bërë gjashtë muaj pushimi s’ju takon”. Po mbesin punëtorët pa pushim. Po lypin punëtorët prej meje si kryetar: “ku asht pushimi?”, kompanitë nuk t’i japin pa i bërë gjashtë muaj fiks punë efektive” u shpreh Krasniqi

Ndërkaq, punëtori tjetër i sektorit privat, Hamit Berisha, theksoi se ndër shqetësimet kryesore mbeten pagat e ulëta dhe mungesa e stabilitetit në punë.

Berisha: Të drejtat tona janë të cunguara

Video:

“Shqetësimet tona janë pagat, me u ngrit paga. Rregullsi s’ka te ne. Çdo 5-6 apo 10 muaj ndërrohen kompanitë. Të drejtat tona janë të cunguara, nuk përfillen rregullat. Plus përvojën e punës nuk na e paguajnë; deri në 2020-tën na e kanë pagu, në 2020-tën na e kanë shkëputë. Paga e ulët”, tha Berisha.

Ndërkaq Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat mbajti një protestë duke ngritur shqetësimet për kushtet e rënda të punës, pagat e ulëta dhe mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi.

Punëtorët kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet për të garantuar të drejtat e tyre, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurimin e një jete dinjitoze.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU