Ferizaj, 22 mars 2026 – Talenti i ri i pingpongut kosovar, Denat Makolli, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u shpallur kampion i dyfishtë i Kosovës për vitin 2026 në kategorinë U13.
Edhe pse vetëm 11 vjeç, Makolli garoi në një kategori më të lartë moshe, duke u përballur me kundërshtarë më të rritur dhe më me përvojë. Pas një serie ndeshjesh të forta dhe shumë konkurruese, ai arriti të triumfojë në kategorinë individuale, duke dëshmuar talent dhe pjekuri sportive përtej moshës së tij.
Suksesi i tij nuk u ndal me kaq. Në kategorinë e çifteve, së bashku me Imran Duraki nga Prizreni, Makolli siguroi gjithashtu vendin e parë, duke kompletuar një paraqitje të shkëlqyer në këtë kampionat.
Gjatë gjithë garës, Denati u dallua për angazhimin maksimal, disiplinën dhe një stil loje profesional, që premton shumë për të ardhmen e tij në këtë sport.
Ky rezultat konfirmon potencialin e madh të Makollit dhe rrit shpresat që ai të përfaqësojë me sukses Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare në vitet në vijim./Raporto24/








