Mimoza Ahmeti ka zgjedhur të mos i bashkohet protestave të fundit në Tiranë, pavarësisht kërkesave të shumta nga ndjekësit e saj, shkruan Raporto24.
Fituesja e “Ferma VIP” ka folur hapur për këtë çështje gjatë një komunikimi live në TikTok me producentin Eraldo Rexho, ku ka sqaruar se aktualisht nuk e sheh veten pjesë të këtyre organizimeve.
Moza ka bërë të ditur se eksperienca disa mujore në reality-show e ka lodhur si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht, duke thënë se nuk ka energji për një angazhim të tillë.
“Ku kam takat unë për protestë, jam lodhur, jam gërdis, plot tre muaj në fermë”, ka deklaruar ajo.
Artistja nuk ka lënë pa përmendur as të kaluarën e saj, duke kujtuar periudhën kur ajo vetë dilte në protesta për çështje që i konsideronte të rëndësishme, ndërsa sipas saj, shumë të tjerë nuk e mbështesnin.
“Kur kam protestuar unë që në vitin 2000, ju talleshit me mua. Tani protestoni ju pak për mua, të rri edhe unë në shtëpi siç rrinit ju atëherë kur protestoja unë”, është shprehur Moza.
Në vijim, ajo ka ngritur edhe pikëpyetje rreth mesazhit të protestave aktuale, duke thënë se nuk e ka të qartë qëllimin e tyre.
“Protesta po bëhet e çuditshme. Kërkoni gjërat që doni vërtet, se këtu po bëhet gjeopolitikë me protestë, s’po marr vesh fare”, ka thënë ajo.
Me këtë deklaratë, Mimoza Ahmeti ka bërë të qartë se për momentin zgjedh të qëndrojë jashtë protestave dhe të mos përfshihet në një kauzë për të cilën, sipas saj, nuk është e bindur.


