Modelja e njohur Oriola Marashi ka ngritur zërin për një problem që, sipas saj, po prek bregdetin gjatë sezonit veror, shkruan Raporto24.
Pasi kaloi një ditë në plazh, ajo publikoi në InstaStory një fotografi të rrobave të banjës, ku shfaqeshin njolla të zeza. Sipas Marashit, ato nuk ishin mbetje rëre, por gjurmë nafte të mbetura pas larjes në det.
“Sot dola nga deti dhe rrobat e banjës dolën kështu. Kjo nuk është rërë. Kjo është NAFTË”, shkroi modelja krahas fotografisë.
Përmes këtij reagimi, Oriola shprehu shqetësimin se ndotja e ujërave mund të ketë pasoja si për mjedisin, ashtu edhe për pushuesit, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj kësaj çështjeje.
Ajo u bëri thirrje ndjekësve të tregojnë nëse kanë përjetuar situata të ngjashme dhe të mos heshtin përballë rasteve të tilla.
Postimi i saj është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka rikthyer në diskutim çështjen e ndotjes së detit, pikërisht në periudhën kur plazhet frekuentohen nga mijëra pushues.



