Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit gjerman Karim Adeyemi nga Borussia Dortmund, duke kompletuar një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos së verës, shkruan Raporto24.
Klubi katalanas ka konfirmuar se 24-vjeçari ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare, e vlefshme deri më 30 qershor 2031. Sipas raportimeve, Barcelona ka paguar rreth 29 milionë euro, përfshirë bonuset e mundshme, për të siguruar shërbimet e sulmuesit.
Adeyemi është përforcimi i dytë i madh i kampionëve të Spanjës gjatë kësaj vere, pas transferimit të Anthony Gordon nga Newcastle United. I njohur për shpejtësinë dhe aftësinë për të luajtur si në qendër të sulmit ashtu edhe në krahë, ai pritet të forcojë repartin ofensiv pas largimit të Robert Lewandowskit.
Sulmuesi iu bashkua Borussia Dortmundit në vitin 2022 nga Red Bull Salzburg, ku gjatë aventurës së tij me klubin gjerman realizoi 36 gola në 146 ndeshje në të gjitha garat.
Në prezantimin zyrtar, Adeyemi u shfaq i shoqëruar nga partnerja e tij, reperja me origjinë shqiptare Loredana, e cila ndau edhe fotografi nga momenti i veçantë. Ajo pozoi krah futbollistit së bashku me vajzën e saj, Hanën, në ambientet e klubit katalanas.
Transferimi i Adeyemit ka tërhequr vëmendje jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për praninë e Loredanës, duke bërë që momentet nga prezantimi të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale.





